PAS NDESHJES
Norrkoping: Rivali s’na rrezikoi; Prishtina: Na falni tifozë
30 June, 2017 @8:55
“Ne arritëm që të sigurojmë fitoren përmes detajeve dhe tashmë jemi në rrugë të mirë për të vazhduar garën mëtutje,” ka thënë Kalle Holmberg, që tundi dy herat e fundit rrjetën e Prishtinës në fitoren 5-0 të ekipit të tij Norrkoping.
Faqja zyrtare e ekipit suedez e ka përshkruar si një enjte të mirë atë të mbrëmshmen, derisa ka thënë se Prishtina s’i rrezikoi fare.
“Shumë lojtarë të fokusuar në lojë, të përfshirë në raste, për një natë sulmuese të theksuar,” - ka shkruar me shkronja të theksuara, IFK Norrkoping.
Në anën tjetër, ekipi i Prishtinës i ka kërkuar falje tifozëve të saj pas paraqitjes së djeshme në Suedi. Humbja prej 5-0 me të gjitha golat e pranuara në pjesë të parë të ndeshjes, lë për të dëshiruar.
“Ju premtojmë që do të punojmë, të përmirësohemi dhe sërish t’ju gëzojmë,” - ka shkruar faqja zyrtare e bardhekaltërve pas ndeshjes.
Norrkoping 5-0 Prishtina ka qenë ndeshja debutuese për nënkampionen e Kosovës në gara europiane prej se Kosova u pranua në UEFA.
Dueli kthyes Prishtina - Norrkoping zhvillohet të enjten tjetër (6 korrik) në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.