VLLAZNIA-FERONIKELI
Pas 48 ditësh, vjen fitorja e parë e Feronikelit
26 October, 2017 @15:06
Feronikeli i është kthyer fitores. Djelmoshat e drejtuar nga Zekirija Ramadani, më në fund kanë arritur te trepikëshi pas 8 ndeshjeve pa fitore në Superligë, që daton nga 8 shtatori dhe tashmë janë bërë 48 ditë që nga ajo datë.
Përndryshe, kjo është fitorja e parë e Zekirija Ramadanit si trajner i Feronikelit në Superligë, pasi që zëvendësoi në postin e trajnerit Gani Sejdiun e larguar.
Në anën tjetër, sa i përket ndeshjes së sotme, ekipi nga Drenasi e nisi shpejt ndaj Vllaznisë. Pas 15 minutave të para, Mendurim Hoti shënoi për avantazhin e ekipit, ndërsa pas 15 minutave tjera nga goli i parë, ka qenë Mark Milicaj që dyfishoi epërsinë e ekipit të Ramadanit. Kur ndeshja ishte veçse e mbyllur, Nikli e gjeti edhe golin e tretë dhe takimi u mbyll me rezultatin përfundimtar 0-3.
Kjo rehatoi mjaft ekipin në nevojë për fitore që i la hapësirë më shumë për lojë pastaj vendasve, që po kërkojnë fitoren e parë të stinorit me trajnerin e ri të skuadrës, Bylbyl Sokoli.
Mirëpo, Vllaznia përkundër asaj që kërkonte, nuk arriti të shënojë për të shpresuar së paku për një pikë në minutat e fundit të ndeshjes.
Me këtë fitore, Feronikeli, ka shënuar të tretën këtë stinor, ndërsa ka ngritur kuotën e pikëve në 16 duke dalë nga zona e rrezikshme e klasifikimit.
Në anën tjetër, Vllaznia mbetet e fundit në tabelë, me 5 pikë të fituara më parë dhe me shpresa që në afatin kalimtar dimëror të riorganizohen edhe më mirë për të kërkuar ngritjen në tabelë.
Në xhiron që vjen, Feronikeli pret Gjilanin e pamposhtur, ndërsa Vllaznia udhëton te lideri i Superligës,
Llapi.