ARGJENTINA-PERU

EPA/ D. F.
Pranë eliminimit
6 October, 2017 @8:40
Vetëm edhe një ndeshje u ka mbetur deri në fund të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, e Argjentinës i kërcënohet seriozisht mungesa në një garë të tillë që prej vitit 1970.
Gauchosët nuk kanë arritur të mposhtin në mëngjesin e sotëm Perunë në La Bomboneran e stërmbushur, përkundër dominimit të madh në lojë, me raste dhe presion. Në fund, Peru nxjerr pikën e rëndësishme me 0-0 dhe kalon mbi Argjentinën në klasifikimin e jugamerikanëve për “Rusia 2018”.
Dueli i fundit Argjentinës nuk ia siguron biletën për Botëror edhe në rast të fitores, pasi që varet plotësisht nga rezultatet e skuadrave tjera. Aq më tepër, mysafirllëku në Quito të Ekuadorit nuk është aspak i mirëseardhur për albicelestët, që në tre ndeshjet e fundit në lartësirat ekuadiorane kanë humbur dy dhe kanë barazuar një herë.
Në klasifikimin e kualifikimeve të zonës jugamerikane, katër skuadrat e para shkojnë direkt në Botëror, ndërsa i pesti luan ndeshje barazhi me skuadrën që vjen nga Oqeania.