5 PËR VIKEND

BOROZANI/ Graph.: O. Kraja
Prej Portos deri në Stamboll
Shkruan: LUAN MORINA
1 December, 2017 @14:39
Kësaj radhe derbit dalin nga pesëshja e ligave të forta për të shkuar drejt Portugalisë dhe Turqisë.
Napoli – Juventus (e premte, ora 15n9)
Lazio veç ka nisur të humb distancë. Edhe Roma po ka lemzë së fundmi. Dhe falë mungesës nga Evropa, Inter mund të mbetet i vetmi konkurrent për Napolin dhe Juventusin. Interistët me pak ardhje në janar mund të mbajnë hapin me dyshen, derisa nuk dyshoj për kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve.
Lëndimi i Ghoulam ka bërë që Hysaj të kaloj në të majtën, e të eksperimentohet me Ruin e Maggion në krahun tjetër. Pjesa tjetër është në rregull, edhe pse mungesa e golave të shpeshtë të Mertensit mund të jetë një brengë. Ngjashëm edhe për Dybalan i cili pas startit eksploziv është përgjumur paksa.
Lodhja shihet tek të dyja ekipet, por kjo s’do të duhej të ishte arsye për të mos pasur një lojë të bukur sonte.
Porto – Benfica (e premte, ora 9e30)
Benfica për të njëjtat arsye që përmendem tek Interi mund të ketë përparësi ndaj Portos në luftë për titull në Portugali. Por, nuk ka një ekip më të kompozuar dhe talentuar se rivalët klasik, e aq më pak se Sportingu. Jonas është shkatërrues para portës këtë vit, por në anën tjetër është Aboubacar me të njëjtën zotësi.
Derbi ndërmjet Sportingut dhe Portos këtë sezon ka përfunduar pa gola. Ndoshta presioni për të mos gabuar, sidomos nga Porto që ka një epërsi prej tri pikëve në krye mund të ndikoj në një lojë me defensive nga vendasit. Humbja për mysafirët do të ishte goxha dëshpëruese nëse rikthehen në gjashtë pikë diferencë.
Besiktas – Galatasaray (e shtunë, ora 5e30)
Galatasarayi e ka vetëm një problem këtë sezon – të merret me ekipet e mëdha. Pa gola ndaj Fenerbahces, poshtërim nga Basaksehir, humbje nga mospërgatitja psikike ndaj Trabzonsporit dhe Antalyasporit. Dhe ky nuk është një problem i ri. Igor Tudor e ka bërë këtë edhe gjatë karrierës si trajner i Hajdukut dhe PAOK-ut. Dhe me Terimin e lirë, nuk është mirë të bësh lëshime, përkundër që gjenden në krye të renditjes.
Një humbje tjetër nga rivali direkt për titull mund ti largonte në 9 pikë kampionët aktual. Me Evropën tashmë të siguruar, Besiktas e ka kohën të përqendrohet në kampionatin turk për të mos mbetur larg dyshes që i rikthen në Ligën e Kampionëve ku kanë pasur një sezon fantastik. Cenk Tosun është emri që duhet të kujdeseni, ngjashëm si Gomis tek Galatasaray.
Arsenal – Manchester United (e shtunë, ora 6e30)
Nuk është i çuditshëm suksesi i Arsenalit. Me Monrealin të përshtatur me Koscielnyn e Mustafin, me Ramsey përkrah Xhakës që ka liruar Ozilin nga detyrat teknike të pjesës defensive të mesfushës, dhe me Kolasinacin si njërën ndër prurjet më të mira në Ishull, Wenger ka bërë një ekip goxha të mirë këtë sezon. Megjithatë, forma e mirë mund të fshihet me një humbje nga Manchester United.
Për Mourinhon, fitorja ndaj Wengerit gjithnjë është një motivim shtesë. United janë në formë të përkryer me një ekip të stabilizuar, tashmë edhe pothuajse pa të lënduar. Krejt do të varet prej rotacioneve që bëhen në këtë muaj, edhe titulli i kampionit. United për momentin është i vetmi që mund të rezistoj formën e pashoqe të Manchester Cityt.
Vetëm mos të harrojmë që Antonio Conte e kishte bërë të njëjtën vitin e kaluar, pa shpenzuar 250 milionë euro, edhe atë në sezonin e parë! Oh, edhe kishte trazuar formacionet e më shumë se gjysmës së ekipeve të Premier League.
Sampdoria – Lazio (e diel, ora 15n9)
Sampdoria ka befasuar këtë sezon. Duhet të vëni re tek treshja e mesfushës – Linnety, Torreira, e Praet. Giampaolo ka bërë një kombinim të ekipit, dhe humbja ndaj Bolognas s’do të duhej të ishte gjë tjetër pos një lemze.
Më shumë e shoh Lazion si të lodhur dhe në rënie të formës se sa Sampdorinë. Mysafirët duhet të gjejnë fitoren patjetër nëse dëshirojnë të mbeten në luftë për katërshen e parë. Nuk kanë mungesa, por rotacioni nuk është duke funksionuar aq mirë. Sidoqoftë, të dielën zor se ka ndeshje më të baraspeshuar.