FERONIKELI - GJILANI

Rexha në formë, lideri s’ndalet
10 March, 2019 @15:27
Feronikeli i Zekirija Ramadanit është duke vazhduar me ritëm të mirë pranverën në Superligë dhe me fitore 3-0 ndaj Gjilanit sot ka mbajtur distancën në krye të klasifikimit.
Kjo ka qenë fitorja e katërt në 5 ndeshjet e fundit për niklin, ndërsa me dy golat e Kastriot Rexhës (24’ dhe 38’; të dyja me asistime të Yll Hoxhës) lideri ka siguruar tre pikët që në pjesë të parë.
Kah fundi i ndeshjes për epilogun përfundimtar shënoi edhe gjakovari Mevlan Zeka (85’) për 3-0.
Derisa Feronikeli ka shënuar fitoren e 16 të stinorit sot, Gjilani ka pësuar për herë të nëntë këtë stinor dhe ekipi i Alban Hysenit tash e tutje duhet të sigurohet për pikë tjetërkund, pasi që zona PlayOut është larg vetëm 2 pikë.
Përndryshe, Gjilani ende s’ka shënuar fitore në pranverë.