WERDER - MAINZ

Foto: uefa.de
Shkëlqimi i Rashicës në fitore
30 March, 2019 @17:25
I jashtëzakonshëm! Milot Rashica sot ka qenë njeriu i ndeshjes në fitoren e Werderit ndaj Mainzit 3-1.
Së pari shënoi gol në fillim të ndeshjes për t’i dhënë epërsi skuadrës së tij, ndërsa kur mysafirët u nisën të barazojnë pas 2-1, ai bëri mrekullinë.
Pranoi top nga mesi i fushës, dribloi mbrojtësin e Mainzit, doli vetë para portierit dhe në momentin që krejt prisnin të shutojë në portë, ai pasoi te kapiteni i Werderit Max Kruse, që ishte i vetëm dhe shënoi për 3-1, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Këtë, trajneri i Werderit Florian Kohfeldt [trajneri i vitit 2018 i shpallur në Bundesligë], e shpërbleu duke e nxjerrë Rashicën 8 minuta para fundit të ndeshjes, që u përshëndet me ovacione nga shikues në WeserStadion të Bremenit, ku sot ishin mbi 40 mijë shikues në tribuna.
Përndryshe, Rashica ka shënuar golin e tetë të stinorit në Bundesligë, të gjitha këtë vit, kurse Werderi theu rekordin e klubit duke shënuar radhazi në 28 ndeshje të Bundesligës.
E për të qenë gjithçka edhe më inspiruese, Werder është vetëm një pikë larg zonës që dërgon në gara evropiane në Bundesligë.