PAS NJOFTIMIT TË DJESHËM
Vëllaznimi reagon për transferin e Bardhokut
18 June, 2019 @11:34
Skuadra e Vëllaznimit ka reaguar për transferin e lojtarit të tyre Tunë Bardhoku në drejtim të Prishtinës.
Prishtina dje lëshoi njoftim se ka marrë në radhët e veta mbrojtësin e ekipit gjakovar.
Ndërsa Vëllaznimi në sqarimin e botuar sot ka bërë të ditur se është befasuar nga sjellja e zyrtarëve të ekipit të Prishtinës.
“Informata që dje u plasua në portale se futbollisti ynë Tun Bardhoku, ka kaluar tek radhët e Klubit të Futbollit “Prishtina” na ka befasuar. Kjo për faktin se futbollisti Bardhoku ka kontratë valide me Klubin tonë. Është e vërtet që Tun Bardhoku ka biseduar me kryetarin e klubit Agim Cana, dhe nga i njejti e ka marrë premtimin preliminar se nuk do të pengohet nëse i jepet rasti që të angazhohet në ndonjë klub jashtë Kosovës, gjë që e ka kërkuar edhe vetë futbollisti.
Jemi të befasuar edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit Prishtina, të cilët, edhe pse e kanë ditur që Bardhoku ka kontratë me Vëllaznimin, kanë vënë kontakt me futbollistin pa e paralajmëruar fare klubin tonë, që paraqet shkelje të dispozitave të Rregullores për Transferin dhe Regjistrimin e Lojtarëve të FFK-së,” ka bërë të ditur klubi i Vëllaznimit në njoftimin e lëshuar sot.