ARBËRIA 6-1 TREPÇA
Arbëria shfrytëzon maksimalisht gabimet e tjerëve, lidere e Ligës së Parë
6 November, 2019 @16:43
Liga e Parë e Kosovës ka lider të ri. Ajo është Arbëria e Dobrajës së Lipjanit, që sot në Sami Kelmendi ka shkelë ish kampionen e Kosovës, Trepça, duke e mposhtur thellë 6-1.
Futbollistët e Arbërisë që nga fillimi i ndeshjes kanë dominuar lojën dhe plotësisht kanë merituar fitoren, derisa ka shkëlqyer pjesa ofanzive e saj duke shënuar gjashtë herë në portë të mitrovicasve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 15-të, kur Almir Kryeziu shënoi për 1-0. Pas tij ka shënuar edhe Çlirim Kashtanjeva, kur në minutën e 35-të gjeti rrjetën kundërshtare për 2-0, ndërsa për të përmbyllur pjesën e parë thellë, u përkujdes Kreshnik Bahtiri, që shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë për 3-0 (45’).
Në pjesë të dytë, Arbëria vazhdoi me të njëjtin ritëm. Almiri menjëherë ngriti epërsinë në 4-0 (48’), derisa Trepça e uli atë pak më vonë në 4-1.
Por, Adhurim Bekteshi shënoi për të vazhduar festa në Lipjan, 5-1 (77’) e Bahtiri dha epilogun e ndeshjen në minutën e 84-të kur shënoi për 6-1.
Arbëria kështu me fitoren e gjashtë të stinorit kap lidershipin e Ligës së Parë, duke lënë pas lideren e deritashme, Lirinë e Prizrenit, që u mposht në derbi nga Besa në Pejë 1-0.
Pas 13 xhirove të zhvilluara Arbëria tash ka epërsi 3 pikëshe në krye të klasifikimit, duke lënë pas ndjekësit e shumtë.