GIANNI DE BIASI
Brenda 24 orëve shënojmë gol
14 June, 2016 @21:40
Selektori i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka thënë se Shqipëria do të shënojë gol ndaj Francës nesër, në konferencën e sotme për shtyp, shkruan L’Equipe.
Italiani i është përgjigjur disa pyetjeve të gazetës para ndeshjes së nesërme, kur Shqipëria luan ndaj Francës.
-Nuk keni kaluar mirë ndaj Zvicrës në fillim të lojës. Ishin emocionet e takimit të parë në EURO? A keni punuar për të përmirësuar këtë?
De Biasi: E vërtetë, kemi pasur 20 minuta të vështira. Ne në ndërkohë kemi punuar mentalisht më shumë. Rezultati nuk ka qenë në plan të parë. Mentaliteti ka ndikim të madh në futboll sot.
-Rumania është treguar mjaft e frymëzuar ndaj Francës. Do t’ia nisni edhe ju kështu?
De Biasi: Çdo ekip ka karakteristikat e veta të lojës. Ne do të punojmë për më të mirën. Mirëpo, Franca na njeh mirë neve dhe ne do të hymë të vendosur në fushë. Fitorja jonë (në miqësoren e fundit) ka mbetur në të kaluarën dhe nesër shpresojmë në një tjetër.
-Sulmi juaj nuk ka qenë efektiv kundër Zvicrës. A do të ketë ndryshime në sulm?
De Biasi: E mbaj mend se u krijuan tre raste ballë-për-ballë dhe kemi qëlluar te një portier shumë i mirë. E vëretë është që do të thuhet: duhet të ndryshoni diçka. Por besoj se në terren është më e komplikuar kjo punë. Heret apo vonë ne do të shënojmë. Ndoshta në 24 orët e ardhshme kemi veçse të shënuar golin e parë...