DEKLARATA PAS NDESHJES

Foto: prishtinafc.com
Dallku: Prishtinës i ka munguar shpirti luftarak
22 September, 2019 @23:35
Trajneri i ri i Prishtinës, ndoshta më i riu në histori të klubit, Armend Dallku, ka debutuar me fitore në Superligë.
Prishtina mposhti në derbin e xhiros së gjashtë të Superligës, Gjilanin lider, duke e fituar ndeshjen me një gol të Alban Shillovës në momentet e fundit të takimit, 2-1.
E Dallku, në deklaratën e tij të parë pas ndeshjes dhe pas fitores është shprehur se bardhekaltërve, të cilëve u mungon titulli kampion qe gjashtë vite, u ka munguar shpirti luftarak.
“Normalisht, çdo fitore është fitore për çka jam i lumtur, së pari për djemtë se sa për vetën, të them të drejtën, sepse pas gjithë atyre vrapimeve duke e parë çfarë lufte bënë djemtë, jam shumë i kënaqur dhe për atë jam gëzuar së pari për ta, pastaj për ekipin dhe në fund për veten. I ka munguar Prishtinës ai shpirti luftarak, po mendoj unë në këto ndeshjet e para dhe jam munduar këto dy ditë të bisedoj edhe individualisht edhe kolektivisht me lojtarë që Prishtina është emër i madh dhe për Prishtinën duhet të luftohet dhe të jepet zemra. Dhe e pamë sonte që si rezultat i kësaj erdhi edhe rezultati pozitiv. I përgëzoj të gjithë, tërë qytetin, posaçërisht tifozerinë të cilës i bëjë thirrje që ndeshjet në vazhdim të vijnë në numër edhe më të madh, sepse iu premtoj që ne do të luftojmë ashtu siç luftuam sot,” ka thënë Dallku 35 vjeç, pas ndeshjes.
Me fitore, Prishtina ka dalë nga pozita e parafundit e tabelës në mes të klasifikimit dhe tashmë që në xhiron e ardhshme dëshiron të mbajë ritmin e fitoreve që e ka kapur, pasi që i ka shënuar dy radhazi.
Në xhiron e radhës, Prishtina i shkon në mysafirllëk Vushtrrisë.