2 KORRIKU 1-2 ISTOGU

Istogu s’ndalet, Jahaj e Prekaj për ruajtjen e kreut
22 September, 2019 @17:31
Skuadra e Istogut ka shënuar sot edhe fitoren e katërt në 5 xhirot e para të Ligës së Parë të Kosovës.
Viktimë e radhës për troftat ka qenë 2 Korriku i Prishtinës, që ka nisur në fakt ndeshjen më mirë, duke marrë epërsinë heret në takim, kur shënuan për 1-0 (5’).
Mirëpo, kundërpërgjigjja e liderit të klasifikimit në Ligë të Parë ka qenë e shpejtë.
Së pari kapiteni Qëndrim Jahaj ka shënuar për të barazuar rezultatin në 1-1 (8’) ndërsa Nikollë Prekaj ka shënuar për epërsinë 1-2 (25’). Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, ndërsa rrjetat nuk u tundën as në pjesë të dytë të ndeshjes, për t’ia dhënë Istogut fitoren e radhës.
Istogu udhëheq vallen në Ligë të Parë me 13 pikë, 3 më shumë se përcjellësit e parë të tij në kryesim, ndërsa 2 Korriku është në mes të tabelës me 7 pikë.