LLAPI 2-1 DUKAGJINI

Foto: KFLlapi/fb
Dramën në Podujevë e zgjidh Pefqeli
28 September, 2019 @16:20
Dukagjini ka shënuar golin e parë të stinorit në Zahir Pajaziti të Podujevës, por kjo nuk mjaftoi për të nxjerrë pikë për ekipin e drejtuar nga Xhengis Rexhepi.
Ka qenë ish futbollisti i Prishtinës, Mërgim Pefqeli, që ka zgjidhur çështjen e fituesit sot në duelin dramatik në Podujevë, kur ka qëlluar portën e Flamur Nezirit në minutën e 80-të të ndeshjes për fitoren e llapjanëve 2-1.
Nëntë kartona të verdhë dhe një e kuqe u shpërndanë në ndeshje prej gjyqtarit kryesor Visar Kastrati, derisa Dukagjini ka treguar edhe njëherë lojë të mirë, por për fat jo të mirë, përsëri janë mposhtur!
Derisa shënoi Llapi për epërsi, ka qenë Dukagjini që ka tentuar me Altin Llogën dhe Mark Milicajn. Të dy tentimet, të ndala nga portieri llapjan, Afrim Ademi.
E i harruar në shtyllë të dytë të portës, Armin Mujkic, ka shfrytëzuar maksimalisht krosimin e mjeshtrit të mesfushës, Mentor Zhdrella, për t’i dhënë epërsinë vendasve dhe për të shkuar qetë në pushimin 15 minutësh 1-0 (40’).
Reagimi i shpejt i Dukagjinit me ish lojtarin e Lirisë, Ilir Mustafa, u ndal nga shtylla! Përsëri pa fat për klinasit.
Llapi në pjesë të dytë mbeti me 10 lojtarë në fushë. Kastriot Selmani që mori një karton të verdhë në fund të pjesës së parë të ndeshjes, u ndëshkua me të verdhën e dytë në minutën e 62-të për tu përjashtuar.
Këtë herë Dukagjini nuk fali. Husein Demiri shënoi (67’) për të barazuar 1-1, pas një harkimi të Granit Elezajt, që kishte zëvendësuar në fillim të pjesës së dytë Jeton Dushin.
Mark Milicaj huqi rast ideal më pas. Ai goditi në duart e portierit nga ku, ndoshta më lehtë është të shënosh!
E kur nuk shënon, pranon! Sebino Plaku qëlloi shtyllën e hithave në minutën e 78-të të ndeshjes, ndërsa dy minuta më vonë i saktë u tregua Pefqeli që i dha fitoren llapjanëve 2-1 (80’).
Deri në fund të ndeshjes raste konkrete nuk kishte, ndërsa Llapi nuk la asnjë pikë të ikte sot nga Zahir Pajaziti për të kërcyer përkohësisht në pozitën e dytë të klasifikimit. Dukagjini i fundit në tabelë, tashmë me golin e parë të shënuar të stinorit dhe një pikë të fituar në fillim të stinorit.
i:
Llapi: Hajdini, Husiç, Mujkiç, Prençi, Emini, Maliqi, Zhdrella, Pefqeli, Selmani, Zabërgja, Plaku. Kryetrajner: Tahir Batatina Dukagjini: Neziri, Basriu, Mustafa, Syla, Haliti, Gava, Beqiri, Dushi, Jashanica, Lloga, Milicaj. Kryetrajner: Xhengis Rexhepi |