NGA INTERVISTA

TOPSPORTI/ arkiv
Duka tregon për kur pritet të bëhet gati “Arena Kombëtare”
25 August, 2019 @10:58
Kreu i FSHF-së dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së, Armand Duka, në një intervistë të tij dhënë për TopChannel ka bërë të ditur se kur pritet që stadiumi i ri i kombëtares së Shqipërisë të jetë gati.
Ai në pyetjen për inaugurimin e stadiumit dhe kur do të jetë plotësisht gati, është përgjigjur kështu:
“Stadiumi nuk është vetëm pjesa e stadiumit që duket, por edhe ambientet jashtë, parkingu, etj. Në vend parkimin te sheshi “Italia” ende nuk kanë filluar punët. Kështu që, nëse nuk përfundohet si kompleks, është e pamundur që të zhvillohet ndeshje ndërkombëtare,” ka thënë fillimisht Duka, për të shtuar…
“Pengesa kryesore është sheshi “Italia”, pasi punimet e stadiumit janë para përfundimit të plotë. Stadiumi është gati edhe në shtator, por si kompleks shpresoj që edhe sheshi “Italia” të përfundojë dhe ne të bëjmë inaugurimin e stadiumit në muajin nëntor të këtij viti,” kanë qenë fjalët e kreut të futbollit shqiptar.
Shqipëria që nisi kualifikimet për EURO 2020 me humbje në shtëpi nga Turqia dhe shkarkimin e Christian Panuccit selektor, është këndellur paksa me ardhjen e selektorit Edy Reja.
Në shtator Shqipëria ka dy ndeshje për të zhvilluar: 7 shtator Franca - Shqipëria dhe 10 shtator Shqipëria - Islanda. Në tetor kuqezinjtë janë mysafir të Turqisë dhe Francës, në datat 11 dhe 14 përkatësisht.
Cikli i kualifikimeve të kuqezinjëve drejt EURO 2020 që shpresohet të mbyllet me sukses, do të përfundojë në nëntor ku të dyja ndeshjet djelmoshat kuqezi do t’i luajnë si vendas, ndaj Andorrës me 14 nëntor dhe Francës më 17 nëntor.
Aktualisht Shqipëria është e katërta në grupin H kualifikues me 6 pikë nga 4 ndeshje. Para tyre në tabelë janë Franca, Turqia dhe Islanda - të trija me nga nëntë pikë!