SUNAJ KEÇI
Edhe 13 beteja
2 March, 2020 @16:23
Trajneri i Flamurtarit, Sunaj Keçi, pas fitores së sotme ndaj Vushtrrisë është shprehur të jetë i kënaqur me rezultat pas pjesës së parë të efektshme, por jo edhe me lojën e ekipit në pjesë të dytë.
“Asnjë ndeshje s’është e lehtë. Ne e përfunduam ndeshjen në pjesë të parë. Në pjesë të dytë lëshuam mesin e fushës. Tash na pret ndeshje e vështirë me Drenicën. Edhe 13 ndeshje kanë mbetur, që janë edhe 13 beteja dhe ne do të luftojmë deri në fund,” ka thënë trajneri i ekipit të Flamurtarit.
Kuqezinjtë e Prishtinës sot kanë dalë nga pjesa e rrezikshme e tabelës me fitore ndaj vushtrriasve dhe janë në luftë për mbijetesë. Ndërsa xhiron e radhës luajnë pikërisht ndaj rivalit direkt, Drenicës në Bajram Aliu.