FENERBAHÇE
Vedat Muriqi do të ketë trajner të ri
1 March, 2020 @21:09
Pas serisë negative në Superligë, humbjes në derbin e madh ndaj Galatasarayit dhe barazimit krejt në fund ndaj Antalyasporit së fundi, Fenerbahçe ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Ersun Yanal.
Fenerbahçe ka bërë të ditur se me kërkesë të trajnerit kanë ndarë rrugët. Yanal në pesë ndeshjet e fundit me Fenerbahçen në Superligën turke nuk ka shënuar asnjë fitore dhe nga 15 pikë të mundshme, ekipi ka fituar vetëm 2, pasi që ka shënuar 3 humbje e 2 barazime.
Kjo ka rrëzuar Fenerbahçen prej pozitave që dërgojnë në garat evropiane në të shtatën. Kështu, deri në duelet e radhës Fenerbahçe pritet të emërojë trajnerin e ri të skuadrës dhe të shihet nën urdhërat e kujt do të punojë sulmuesi më i mirë i ekipit, Vedat Muriqi.
Muriqi së fundi ka shënuar gol në përballjen e Fenerbahçes ndaj Antalyasporit.
Përndryshe, klubi verdhekaltër nga Stambolli ka bërë të ditur se është pajtuar që Yanal për herë të fundit të drejtojë skuadrën në gjysmëfinale të Kupës ndaj Trabzonsporit, pas së cilës do të emërojë trajnerin e ri.