LIRIA 1-1 ULPIANA
S’ka fitore për Lirinë, e fundit daton 10 nëntor
1 March, 2020 @15:49
Liria mbetet pa fitore në Ligë të Parë përsëri. Prej 10 nëntorit të vitit të kaluar kur patën mposht Istogun 1-0 në Përparim Thaqi, bardhezinjtë e Prizrenit ende nuk kanë shijuar fitore në Ligë të Parë.
Përkundër se në janar në krye të shtabit teknik erdhi Skender Shengyli dhe erdhën disa përforcime me përvojë, Liria s’ka shënuar fitore as në ndeshjen e dytë të pjesës pranverore të stinorit, pasi që sot në shtëpi u ndal nga Ulpiana e Lipjanit.
Bile, Liria shpëtoi një pikë, pasi që Ulpiana kishte dalë në epërsi me golin e Selimit. Ka qenë i rikthyeri pas suspendimit Jurgen Gjini që barazoi në pjesë të dytë ndeshjen për përfundimtaren 1-1.
Mos-triumfi në këtë ndeshje Lirinë vazhdon ta lë larg nga Superliga, përkundër se në fillim të stinorit qëllimi ka qenë ky.
Në pjesë të parë Liria dështoi të shënonte penalltinë, pasi që Jasmin Muhovic nuk arriti të shënojë nga 11m, ndërsa më pas rasti i Gashit, përfundoi me shtyllë të goditur.
E deri në fund, rezultati nuk ndërroi - derisa Liria e Ulpiana morrën nga një pikë. Në xhiron që vjen Liria do të ketë punë të vështirë ndaj Vllaznisë në Pozharan, ndërsa Ulpiana i shkon Onixit.