NGA PREZANTIMI I GREZDËS
Grezda: U ktheva në shtëpi
7 January, 2020 @18:08
Sulmuesi i krahut i kombëtares shqiptare, Eros Grezda, sot u zyrtarizua si përforcim nga ish ekipi i tij Osijek, që garon në elitën kroate të futbollit.
Pas një aventure prej 18 muajsh në Skoci me ekipin e trofeshëm, Rangers, ku nuk arriti të tregohet, Grezda ka thënë se ”është kthyer në shtëpi” ka bërë të ditur faqja zyrtare e klubit nga lumi Drava.
Trajneri i Rangers, Steven Gerrard, e përdori Grezdën në 17 ndeshje, ku shënoi dy gola, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp te Osijeku Grezda ka cekur se karrierën më të mirë e ka pasur pikërisht këtu dhe shpreson të rikthejë formën e tij.
Aty është bërë e ditur gjithashtu se Grezda ka pasur edhe disa oferta tjera nga klubet evropiane, si dhe Hajduku e Rijeka në Kroaci, por ai ka vendosur për rikthim te Osijeku.
Grezda tash do t’i bashkangjitet shokëve të skuadrës në përgatitjet për pjesën pranverore të stinorit, ndërsa Osijeku ka përfunduar vjeshtën në pozitën e katërt të elitës kroate, duke e kryer pjesën e parë të stinorit me 33 pikë nga 19 ndeshje, 14 më pak se lideri Dinamo dhe vetëm 2 më pak se pozita e dytë, Hajduk.