FLAMURTARI - KEK
Përmbysje për të kërcyer 3 pozita
29 April, 2019 @18:19
Fitore tejet të vështirë, por jashtëzakonisht të rëndësishme këtë xhiro ka shënuar edhe Flamurtari sot, në Fadil Vokrri të Prishtinës, ku në total nuk ishin as 40 shikues.
Djelmoshat e drejtuar nga Arsim Thaçi e panë veten në disavantazh në fillim të pjesës së parë, kur KEK-u, tashmë anëtar i ri i Ligës së Parë, avancoi përmes Vigan Veliut (24’) 0-1.
Ekipi nga Obiliqi po vazhdon të tregojë lojëra të mira përkundër se moti ka humbur gjasat për mbijetesë në Superligë.
E Flamurtari u hodh krejtësisht në sulm pas golit të pranuar për të kërkuar fitoren. Thaçi largoi golashënuesin më të mirë të ekipit Alban Shillova, për të futur Florim Bërbatovcin që në minutën e 30 të ndeshjes.
Ekipi u këndell dhe pak para fundit të pjesës së parë, pas dy rasteve të mira të çuara huq, ka qenë Shend Kelmendi që shënoi me goditje precize për 1-1 (42’), rezultat ky që çoi skuadrat në pushim 15 minutësh.
KEK-u në pjesë të dytë të ndeshjes nisi përsëri mirë. Rastin më të mirë e çoi dëm Torviol Stullqaku, që i vetëm para portës së Flamur Nezirit gjuajt pranë shtyllës.
Pastaj rinisi furia e kuqezinjëve të Prishtinës. Berbatovci, Veton Kabashi dhe Adem Maliqi tentuan të shënojnë, por goli nuk erdhi derisa në skenë doli përsëri Berbatovci për të shënuar (83’) për fitoren e madhe 2-1 të Flamurtarit.
Kjo fitore ka ngritur Flamurtarin nga pozita e dhjetë e klasifikimit në të shtatën, duke lënë pas Gjilanin, Ferizajin dhe Ballkanin.
Ndëra në xhiron që vjen, Flamurtari i shkon mysafir pikërisht Gjilanit dhe do të ketë mundësi të mirë që në përballje të drejtpërdrejtë të arrijë edhe më lartë në tabelë.
KEK-u ndërkaq, pret Ballkanin.