PRISHTINË

Armend Dallku para kryesisë dhe futbollistëve, gjatë prezantimit të sotshëm/ Foto: prishtinafc.com
Prezantohet Armendi, synohet 3-4 vite posti i trajnerit të Prishtinës
21 September, 2019 @19:21
Ish futbollisti i kombëtares shqiptare dhe i Prishtinës, Armend Dallku, në moshën 35 vjeçare ka marrë drejtimin e klubit bardhekaltër nga kryeqyteti, papritur, sot.
Armendi erdhi si opcion i zgjidhjes së shpejtë pas dorëheqjes së papritur të trajnerit të posa-emëruar, Bylbyl Sokoli, që për shkak të arsyeve shëndetësore dha dorëheqje, një xhiro pasi që ia solli Prishtinës fitoren e parë të stinorit.
Nënkryetari i Prishtinës, Ahmet Kurtolli, gjatë prezantimit të Dallkut para lojtarëve ka thënë se shpresojnë dhe besojnë që kanë zgjedhur problemin për trajnerin bardhekaltër për 3-4 vitet e ardhshme.
LEXO: Pse u largua Bylbyl Sokoli?
Ndërsa vetë Dallku ka treguar për vendimin që e mori.
“Iu thash edhe lojtarëve sot, si pikë e parë është e vështirë të vendosësh, normalisht sepse jam vetëm në fillimet e mia të karrierës si trajner. Mirëpo, duke e marrë parasysh se 85%-90% të futbollistëve i njoh, e di se çfarë kapaciteti kanë, e di se çfarë mund të bëjnë këta futbollistë dhe pa asnjë hezitim e kam pranuar që të jem trajner i ekipit të Prishtinës. Se sa do të jem gjatë është pikëpyetje, por Prishtina i ka futbollistët më të mirë, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe mund të them edhe më larg,” është cituar të ketë thënë ai.
Mbrojtësi që la futbollin aktiv stinorin e kaluar është në mesin e 15 futbollistëve me më së shumti paraqitje për kombëtaren shqiptare, pasi që ka bartur fanellën kuqezi në 64 ndeshje.
Debutimi i tij do të bëhet në duelin e nesërm, ku Prishtina pret liderin e klasifikimit të Superligës dhe ekipin më në formë aktualisht, Gjilanin.