ÇMIMET E BILETAVE
Sa janë ngritur çmimet e biletave për ndeshjet e Kosovës?
7 March, 2019 @23:20
Në konferencën e sotme për shtyp të FFK-së ndër të tjera është thënë se “sipas të gjitha gjasave” biletat për ndeshje ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë pritet të dalin në shitje nesër, e premtë 8 mars 2019, duke mos bërë të ditur orën kur do të shfaqet online mundësia e blerjes së biletave për këto ndeshje.
Kosova më 21 mars 2019 luan ndeshje miqësore në Fadil Vokrri ndaj Danimarkës, ndërsa më 25 mars 2019 luan ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionat Evropian EURO 2020 [të parën në histori] ndaj Bullgarisë.
Sa i përket çështjes së biletave, zv/sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Arianit Ahmeti ka bërë të ditur se biletat pritet të dalin në shitje nesër nga platforma që ka marrëveshje me FFK-në, tick.app.
“Në Veri dhe Jug biletat do të shiten me çmim prej 5 eurove. Në Lindje, dy pjesët anësore do të jenë nga 10 euro, ndërsa pjesa qendrore e Lindjes 15 euro. Perëndimi në pjesën e poshtme do të ketë çmim të 15 eurove, ndërsa pranë zonës VIP 20 euro. Kurse, biletat VIP do të kushtojnë 80 euro,” ka bërë të ditur Ahmeti sot.
Në krahasim me ndeshjet e Ligës së Kombeve, që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar, rritja është e dukshme dhe atë në disa pjesë të stadiumit, prej 100% e më shumë.
Biletat e ndeshjeve të Kosovës në “Fadil Vokrri” përgjatë kampanjës për Ligë të Kombeve kanë kushtuar 3 euro në Veri dhe Jug, që tash do të jenë 5 euro.
Pastaj Lindja ka kushtuar 5 euro, në secilën pjesë. Tash do të ketë dyfishim çmimi [rritje 100%] për pjesët anësore të Lindjes, 10 euro; dhe trefishim për pjesët qëndrore të Lindjes, 15 euro.
Perëndimi ka qenë në çmim prej 10 eurove në të gjitha pjesët e saja. Tash e tutje, pjesët anësore do të jenë 15 euro, ndërsa ato qëndrore pranë zonës VIP do të jenë me çmim dyfish më të shtrenjtë prej 20 eurove.
SHIKONI: ORARI I NDESHJEVE dhe GRUPET KUALIFIKUESE
Në deklaratën dhënë KTV-së një muaj më parë, kryetari i FFK-së kishte thënë se biletat do të rriten rreth 50%.
E kjo siç po shihet është thuaje në të gjitha rastet, mbi çmimin e deklaruar.
FFK ka arsyetuar Vendimin e ngritjes së çmimit të biletave me konsultime të zyreve të marketingut në rajon, që kanë çmime të përafërta.
Gjithashtu, zv/sekretari i përgjithshëm ka bërë të ditur se sistemi online i shitjes së biletave kësaj radhe nuk do të ketë mbingarkesë dhe qytetarët e interesuar do të arrijnë lehtë të paisen me biletë për ndeshje.