E FUNDIT
Sterling s’luan në ndeshjen e radhës për Anglinë
12 November, 2019 @0:33
Gareth Southgate ka marrë vendimin e vështirë në stërvitjen e sotme të Anglisë, ndërsa lojtari më i dalluar i reprezentacionit, Raheem Sterling, nuk do të paraqitet në përballjen e Anglisë ndaj Malit të Zi, që luhet më 14 nëntor 2019, tre ditë para se ata të vijnë në Kosovë.
Sterling ka pasur një konflikt me bashkëlojtarin e kombëtares, Joe Gomez, një fjalosje që ka eskaluar të dielën në përballjen Liverpool - Man City dhe shkëndijat e saj kanë vazhduar edhe në stërvijet e reprezentacionit.
Njoftimi i fundit nga mediat angleze nuk ka bërë të ditur nëse Sterling do të jetë në aeroplanin e reprezentacionit që udhëton për në Kosovë në fundjavë, por ajo që është e sigurt për duelin ndaj Malit të Zi, Sterling s’do të jetë në fushë.
“Kemi marrë vendim që të mos e konsiderojmë Raheemin për ndeshje ndaj Malit të zi të enjten. Njëra ndër sfidat më të mëdha dhe forca e reprezentacionit qëndron në faktin se kemi mbajtur larg rivalitetet që vijnë nga klubet. Për fat të keq, emocionet e ndeshjes të së dielës, ende ishin lartë,” kanë qenë fjalët e Southgate-it, bëjnë të ditur mediat angleze para pak çastesh.