BALLKANI 3-0 DUKAGJINI
Super forma e Ballkanit vazhdon, bëhen liderë
27 October, 2019 @16:16
Ballkani është kthyer në krye të klasifikimit në Superligë dhe tashmë është lider i ri i elitës së futbollit.
Ekipi nga Suhareka që këto ditë nuk e ka pasur nga afër ndihmën e trajnerit të suspenduar Ismet Munishi, ka arritur që të fitojë shpejt dhe sigurt ekipin e Dukagjinit sot, duke shënuar tri herë në pjesë të parë, për përfundimtaren 3-0.
Ka qenë djaloshi i jashtëzakonshëm Blendi Baftiu që i dha epërsinë Ballkanit 1-0, kur shënoi duke e ridërguar në portë një top të kthyer nga portieri i mysafirëve Altik Muhaxhiri (18’) për t’ia dhënë epërsinë vendasve.
Thuajse në sulmin e radhës, epërsia u ngrit. Arbër Hoxha me një depërtim nga ana e majtë e fushës i krijon hapësirë vetes për të shutuar dhe atë preciz, për 2-0 (22’).
Deri në fund të pjesës së parë, Ballkani, që dominonte në çdo cep të fushës, ka vulosur fatin e takimit. Jetmir Topalli shfrytëzon rastin dhe me kokë shënon për 3-0 (45’).
Në pjesën e dytë Dukagjini nuk arriti të shpresojë për më shumë dhe loja e tyre u zbeh, për tu mbyllur ndeshja me humbjen e tyre të radhës, derisa Ballkani kërcen në krye të tabelës me fitoren 3-0.