DRENICA 1-0 FERONIKELI
5 xhiro pa humbje, fitorja e dytë me radhë
26 October, 2019 @16:13
Drenica është në formë të mirë dhe tashmë ka fituar edhe derbin drenicak, duke e mposhtur Feronikelin favorit për ndeshjen e sotme.
Kuqezinjtë nga Skenderaji kanë arritur që me rezultat minimal të kapin tërë gjahun nga dueli me kampionin aktual të Superligës, Feronikeli, ndërsa vendimtar në këtë takim është treguar Qemajl Elshani me përvojë, që ka shënuar në portën kundërshtare heret në ndeshje, kur qëlloi në minutën e pestë të takimit për 1-0.
Elshani kishte dërguar me të parën topin e ardhur te ai në brendi të zonës, drejt portës së Florian Smakiqit, për të shënuar.
Ai tentoi edhe më pas. Por gola më nuk kishte, as në pjesë të dytë të ndeshjes.
Për disa momente ndeshja u ndërpre për shkak të ofendimit në kor të tifozëve vendas ndaj ekipit mysafir, sa që u desht edhe intervenimi i trajnerit të Drenicës Tahir Lushtaku për të qetësuar publikun në tribunat e Bajram Aliut. Këto ngjarje ndodhën në minutat 22-25.
Në pjesë të dytë kërkimi i madh për barazim i Feronikelit sikurse shfaqi pak edhe nervozizëm në lojë, derisa Astrit Fazliu, Milos Krkotic e Mendurim Hoti u ndëshkuan me të verdha brenda minutave 55-65.
Deri në fund të ndeshjes Drenica menaxhoi disi rezultatin dhe arriti te fitorja e dytë me radhë për tu ngritur në klasifikim, derisa Feronikeli tashmë ka bërë hap mbrapa dhe trajneri i tyre Dejan Vukicevic, tashmë karrigen nuk e ka të sigurt as për muajin nëntor.