MBROJTËSI SHQIPTAR
Visar Musliu shpallet lojtari më i mirë i elitës maqedone
24 December, 2019 @21:06
Mbrojtësi nga Gostivari, Visar Musliu, është zgjedhur lojtari më i mirë i Ligës së Parë të Maqedonisë Veriore për stinorin 2018/19.
Në një ceremoni të organizuar sonte nga Federata e këtij vendi, Musliu, 25, që tashmë ka kaluar në radhët e ekipit hungarez Fehervar, ka marrë çmimin e më të mirit për stinorin që e lamë pas.
Musliu ka qenë lojtar i Renovës më parë, ndërsa në stinorin 2017/18 kalon te Vardari ku pas 11 ndeshjeve e merr Shkëndija. Te Shkëndija me 29 paraqitje e 4 gola përgjatë kampionatit 2018/19, bëhet ndër arsyet kryesore për titullin kampion të kuqezinjëve të Tetovës.
I rregullt në reprezentacionin e Maqedonisë, Musliu do t’i vihet përballë sulmuesve të Kosovës në përballjen e marsit në kuadër të PlayOffit të Ligës D të Kombeve.
Përdryshe, Musliu është i rregullt tash te Fehervari dhe ka 12 paraqitje në 12 ndeshjet e para të stinorit në ligën elite të Hungarisë.