LLAPI 2-2 DRITA

Foto: KFLlapi/fb
Behar Maliqi ndal Dritën në Podujevë
18 September, 2019 @18:41
Drita ishte shumë afër fitores në Zahir Pajaziti të Podujevës sot, kur sulmuesi brazilian i tyre, Gilberto Fortunato shënoi për epërsinë e gjilanasve 1-2 në minutën e 87-të të takimit.
Por, tre pikëshin e plotë mysafirëve ua mohoi Behar Maliqi. Ai shënoi vetëm dy minuta më vonë në portën e gjilanasve për të barazuar rezultatin në 2-2, që ishte edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes, ndërsa ekipet ndanë pikët.
Maliqi shënoi në minutën e 89-të të takimit, golin e parë të tij të stinorit dhe mohoi humbjen e Llapit në fund.
Ndeshja në fakt kishte nisur më mirë për vendasit. Gol që në fillim përmes Kastriot Selmanit (5’) për 1-0. Pastaj pasuan sulmet e parreshtura të Dritës me Bujar Shabanin që tentoi i pari, ndërsa pas tij me radhë Fortunato, Xhevdet Shabani e Izair Emini - të gjitha u ndalën nga ish portieri i reprezentacionit të Kosovës, Bledar Hajdini.
Në pjesë të dytë nga një asistim i Xhevdet Shabanit, ka qenë Liridon Leci që barazoi për Dritën (50’) në 1-1. Ndeshja pak u qetësua atëherë, ndërsa ritmi u ngrit në 15 minutat e fundit, kur Drita përsëri ndezi motorët, që dha konkretizim 3 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Por, siç edhe u përmend në fillim, Maliqi shënoi për të çuar në këmbë tifozërinë vendase me 2-2 përfundimtare.
Me dy pikë të humbura nga kjo ndeshje, Drita bie në pozitë të dytë të klasifikimit dhe pret Trepçën’89 në xhiron e radhës, ndërsa Llapi udhëton drejt Flamurtarit në xhiron që vjen.