PRISHTINA 2-3 FERONIKELI
Da Silva i jashtëzakonshëm, ia sjell fitoren e parë trajnerit Sopi në Superligë
6 November, 2019 @20:06
Braziliani i Feronikelit, Jean Da Silva, me golin e tij të shënuar 2 minuta para fundit të takimit, ia ka sjellë fitoren e parë trajnerit të ri të skuadrës, Agim Sopi.
Da Silva shënoi pas asistimit të Mendurim Hotit në minutën e 88-të të ndeshjes, për të shuar shpresat e Prishtinës për më tepër, duke e bërë rezultatin 2-3 në të mirë të kampionit aktual.
Në fakt, Prishtina ishte dy herë në epërsi në ndeshje. Së pari Ahmed Januzi i dha epërsinë kur shënoi nga penalltia për 1-0 (2’). Por Da Silva, i jashtëzakonshëm sot, ka barazuar shpejt në 1-1 (6’).
Fillimi i pjesës së dytë përsëri i takoi Prishtinës. Ka qenë mbrojtësi i krahut dhe ish reprezentuesi i Kosovës Armend Thaqi, që ka harkuar në zonë, ndërsa Diar Miftaraj i dha epërsinë ekipit të Armend Dallkut 2-1 (49’).
Por, përsëri në skenë del Da Silva. Kësaj radhe ai asistoi për Lapidar Lladrovcin që shënoi me kokë për të barazuar 2-2 (58’).
Pasuan disa zëvendësime, dy te Prishtina (futen Leonit Abazi e Ardit Hila) dhe një te Feronikeli (futet Haxhi Neziraj). Ndonjë rast konkret nuk kishte deri kah 5 minutëshi i fundit i ndeshjes, kur pasojë edhe dy zëvendësime. Te Prishtina hyn Kreshnik Uka, ndërsa te Feronikeli Albutrint Morina.
Dhe pas kësaj, në skenë doli njeriu i ndeshjes së sotme. Da Silva (88’) qëlloi rrjetën e Visar Bekajt për 2-3, pas topit të pranuar nga Albert Dabiqaj, ndërsa katër minutat shtesë nga referi i ndeshjes nuk dhanë ndonjë rast të mirë për bardhekaltërit vendas - që për herë të parë pësojnë në shtëpi nën drejtimin e Dallkut.
Me këtë fitore Feronikeli arrin kuotën e 22 pikëve, ndërsa Prishtina humb hapin me kryesuesit duke mbetur në 24 pikë. Në xhiron që vjen, Feronikeli pret Dritën, ndërsa Prishtina i shkon Llapit.