TREPÇA'89 5-1 FLAMURTARI

Foto: KFTrepça'89/fb
Edhe ‘89-shi demolon Flamurtarin
28 September, 2019 @16:58
Pas humbjes në xhiron e kaluar nga Llapi në Xhemajl Ibishi 1-5, Flamurtari është mposhtur edhe në këtë xhiro 5-1.
Kësaj radhe bajraktarët kanë rënë në Mitrovicë, ku janë mposhtur nga Trepça’89 e Shpëtim Idrizit me rezultat 5-1.
Flamurtari për gjysmë ore lojë në Riza Lushta pa veten në disavantazh 3-0 dhe prej atëherë u kuptua se nuk do të ketë shpëtim të pikëve nga ekipi i drejtuar prej Artim Shaqirit.
Arb Manaj (12’) i dha epërsinë Trepçës’89 1-0, ndërsa Lassine Traore ngriti avantazhin për 2-0 (20’), derisa Leart Emini kurorëzoi me gol aksionin e nisur nga Muharrem Jashari dhe pasimin përfundimtar nga Gzim Rusi për 3-0 (27’).
Ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë. E shpejt u tregua Trepça’89 përsëri. Rusi shënoi për 4-0 (60’), ndersa 11 minuta para fundit zëvendësuesi i Berat Ahmetit, Ylber Maloku ka shënuar nga penalltia për 5-0 (79’). Donat Vitija i Flamurtarit kishte ndalë me faul Manajn më parë, gjë për të cilën gjyqtari Mervan Bejtullahu kishte akorduar penallti.
Golin e nderit për Flamurtarin e shënoi Danin Talovic, që përfitoi nga një devijim për të realizuar për përfundimtaren 5-1 (81’).
Kjo ka qenë fitorja e dytë e ‘89-shit këtë stinor, që tashmë me 9 pikë duket si e stabiziluar në mes të tabelës, derisa Flamurtari është futur në zonën e rrezikshme të rënies nga Superliga.