DETAJET E BRENDISË

Kapaciteti dhe detajet tjera të “Arenës Kombëtare”
25 August, 2019 @11:35
Në numrin e djeshëm të së përditshmes tiranase Panorama Sport, gazeta ka bërë të ditur disa detaje lidhur me brendinë e Arenës Kombëtare, që pritet të jetë gati shpejt për ndeshjet e kombëtares shqiptare.
Kështu, kapaciteti i stadiumit thuhet të jetë 22 mijë ulëse, ku tribuna qendrore do të ketë 1 mijë e 400 spektatorë, ndërsa lozha 11.
Më pas, restorani VIP do të ketë kapacitet për 400 persona, tualete do të jenë 90, komentatorët do të kenë 80 ulëse, ndërsa persona të tjerë të medias 80 të tjera.
Në “Arenë” do të jenë dy bare me nga 350 metra katrorë hapësirë, ndërsa do të ketë vend për 160 kameramanë.
Sa i përket dhomave brenda për akterët e ndeshjeve shifrat janë këto:
2 dhoma për ekipet me hapësirë 100 metra katrorësh, 2 dhoma nxehjeje në rast të motit të keq me nga 150 metra katrorë, 1 dhomë për referë, 1 dhomë për zyrtarët antidoping, 1 dhomë për ndihmën e shpejt, 1 dhomë për delegatë, 2 dhoma zhveshjeje për të rinjtë, 6 tualete, 12 dushe - janë shifrat që i ka dhënë gazeta.