NGJARJET TE FERRONIKELI
Munishi zëvendëson Ramadanin te Feronikeli
18 December, 2017 @14:52
Trajneri i deritashëm i Vëllaznimit të Gjakovës, Ismet Munishi, nga janari do të nis punën te Ferronikeli.
Munishi ka biseduar me drejtuesit e ri të skuadrës dhe ka arritur marrëveshje që të bëhet trajner i ri i skuadrës.
Trajneri i deritashëm i Ferronikelit, Zekirija Ramadani, nuk ka arritur marrëveshje me kryesinë e re të skuadrës. Derisa kryesia e re kishte kërkuar nga Ramadani që të nënshkruajë kontratë 1.5 vjeçare, shkupjani kishte plane tjera.
“Kam kërkuar që të kryejmë stinorin aktual dhe në qershor të bisedojmë për stinorin e radhës. Kryesia kërkoi që të nënshkruajë kontratë 1.5 vjeçare. Për këtë, unë kërkova kushte të reja, që nuk u pranuan nga kryesia e re dhe kështu erdhi deri te ndarja,” ka thënë trajneri shkupjan, Zekirija Ramadani, që ka bërë Trepçën’89 kampione stinorin e kaluar dhe atë për herë të parë në histori të këtij klubi.
Në anën tjetër, Munishi do të merr drejtimin e skuadrës menjëherë dhe synon që me ekipin të luftojë për titullin kampion.
Vëllaznimi, për shkak të krizës financiare, ka mbetur aktualisht pa trajner dhe pritet që ta emërojë një trajner tjetër në javët në vijim.
“Dridhja” te Ferronikeli ndodhi në natën e shpërndarjes së çmimeve vjetore për sportistin e vitit të organizuar nga Komuna e Drenasit.
Kryetari i kësaj komune kishte thënë se ekipi nuk ka pasur rezultate të mira këtë stinor dhe po të ishte në vend të kryetarit Ekrem Elshani, do të ipte dorëheqje.
Elshani ka vepruar menjëherë. Ai dha dorëheqjen dhe pas tij u largua edhe një pjesë tjetër e investitorëve të klubit. Ferronikeli nën kryesimin e Elshanit ka arritur sukseset më të mëdha në histori të klubit duke fituar dy herë titullin kampion të Kosovës, dy herë Kupën dhe një herë Superkupën e Kosovës.
Futbollistët aktual të Ferronikelit kanë mbetur në skuadër, edhepse disa përfliten se mund të largohen.