FFK NJOFTON
Nesër kuptohen të licensuarit
10 May, 2018 @12:52
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se nesër në ora 11:00 në zyret e FFK-së do të mbahet konferenca për shtyp, ku do të bëhet publikimi i Vendimeve për procesin e licensimit të kubeve për garat e UEFA-së.
EKIPET DIHEN
Aktualisht, Drita dhe Prishtina, janë të sigurta si pjesëmarrëse në garat evropiane 2018/19 nga Superliga, pasi që Vëllaznimi ka bërë të ditur se edhe po të fitojë Kupën e Kosovës, nuk ka kompletuar materialin për licensim.
Mirëpo gjithçka nga pjesëmarrja varet nëse Drita e Prishtina do të marrin licensën.
Gjithsesi, nesër 11 maj 2018, në zyret e FFK-së do të sqarohet gjithçka sa i përket ekipeve të licensuara nga Superliga për garat evropiane.
Nëse Drita e Prishtina licensohen, atëherë mbetet të përcaktohet cili ekip shpallet kampion për të marrë pjesë në kualifikime të Ligës së Kampionëve, e tjetri, shkon në kualifikime për Europa Ligë.
DEBUTUESIT
Në stinorin e kaluar, që ka qenë debutues për ekipet kosovare në garat e UEFA-së, kanë marrë pjesë kampionja Trepça’89 dhe nënkampionja Prishtina, pasi që fituesja e Kupës, Besa, nuk ishte licensuar.
As Trepça’89 e as Prishtina nuk arritën të kalojnë fazën e parë kualifikuese në garat e tyre përkatëse, Ligë të Kampionëve dhe Europa Ligë.