MEDIAT TURKE
“Pa Muriqin s’bëhemi kampion!”
11 January, 2020 @14:57
Fenerbahçe definitivisht nuk dëshiron shitjen e Vedat Muriqit në afatin kalimtar të janarit.
Ofertat që po i merr Fenerbahçe për sulmuesin në formë të Kosovës, po refuzohen nga klubi turk, derisa në artikullin e sotëm të Milliyet shkruan se kryetari i klubit të kanarinave ka thënë se: “Pa Muriqin nuk ka titull kampioni!”.
“Së pari duhet të bëhemi kampionë. Pa Muriqin kjo duket e pamundur. Ai është lojtar kyq në rrugëtimin tonë drejt titullit,” thuhet në artikull që citon burimet nga klubi verdhekaltër i Stambollit.
Vedati 25 vjeç që në stinorin e parë të tij te Fenerbahçe ka treguar veten. Ai deri tash, për gjysmë stinori në Superligën turke dhe garat tjera, ka shënuar 11 gola dhe 4 asistime në ndeshjet zyrtare.
Për Vedatin interesim kanë shprehur disa skuadra nga TOP 5 ligat evropiane, por më interesante është treguar të jetë oferta e Tottenhamit të Jose Mourinhos, që sipas mediave turke ka kapur shifrën e rreth 25 milionë eurove për sulmuesin nga Prizreni.