LEAGUE CUP SEMI
Maddison e Grealish në sytë e Southgate’it, finalisti pas 20 ditësh
8 January, 2020 @23:49
Leicester City ka arritur barazimin e merituar ndaj Aston Villës së hendikepuar sonte, në përballjen e parë gjysmëfinale mes tyre, të Kupës së Ligës së Anglisë.
Aston Villa, që po vuan lëndimet e dyshes Tom Heaton dhe Wesley, deri në fund të stinorit, ka marrë epërsinë heret në ndeshje, kur Frederic Guilbert (28’) shënoi për 0-1.
Sidoqoftë, ekipi i Brendan Rodgers ka bërë gjithçka në pjesë të dytë të ndeshjes për të arritur te goli, por jo edhe te fitorja, që do t’ua lehtësonte punën në duelin e kthimit, që zhvillohet pas 20 ditësh në Villa Park të Birminghamit.
Ka qenë Kelechi Iheanacho (74’) që ka barazuar në 1-1, për të përcaktuar përfundimtaren e ndeshjes.
Në anën tjetër, mesfushori fantastik i Aston Villës, Jack Grealish, që në grupmosha të reja ka përfaqësuar Irlandën dhe tash pritet të merr ftesë nga Gareth Southgate për EURO 2020, ka treguar veten përkundër se ekipi sonte u mbrojt më shumë për shkak të epërsisë së hershme.
Grealish, sipas mediave britanike, lufton me mesfushorin e Leicesterit James Maddison për një vend në ftesat përfundimtare të Southgate‘it për EURO2020.