EU REZYME
Situata në ligat që i shikojmë
Rekapitulim dhe analizë e çerekut të parë në kampionatet e futbollit që përcillen te ne. Shkruan: LUAN MORINA
17 November, 2016 @9:38
SUPERLIGA: Dy anët e Mitrovicës
Pas gati gjysmës së sezonit në Superligën e Kosovës, duket se lufta për rënie dhe Evropë është përcaktuar. Trepçat, njëra ka sytë kah Evropa, tjetra kah Liga e Parë. 89shi ka shfaqur formë të mirë, një shkallë më lartë se sezonet e kaluara dhe ndoshta ky do të jetë sezoni i titullit. Për momentin e meritojnë, kanë një ekip mirë të kompozuar, të udhëhequr nga John në sulm dhe mbi të gjitha kapiteni Idrizi.
Në Kosovë befasi mund të konsiderohet Llapi. Nuk besoj se janë kualitet kampioni, por mirë janë duke ecur. Akoma Prishtina e Feronikeli janë ekipe që do të ‘duhej’ të fitonin titullin në Kosovë. Dy nga: Ferizaji, Drita, Hajvalia e Trepça do të bien, derisa dy të tjerat do të provojnë barazhin. Nëse është një ekip që do të mund të shpëtonte nga këto katër, atëherë padyshim që do të jetë Ferizaji.
Me zhvillimet e fundit te Gjilani, ekziston një e ardhme e llahtarshme ku Derbi i Anamoravës do të mund të zhvendosej në Ligën e Parë! Flamurtari, Vëllaznimi, e KEK-u, do të luftojnë për të zënë dy vendet direkte për në Superligë.
PREMIER LEAGUE: Chelsea vështirë në TOP4!
Është akoma herët të përjashtojmë nga Premier League Swansean dhe Sunderlandin. Ndoshta pas ndeshjeve të Vitit të Ri nëse kanë një diferencë të këtillë akoma. Ngjashëm është akoma të parashohim fituesin e titullit. Para sezonit: City, Arsenal e Spurs ishin në mesin e tre favoritëve për titull. Të treja renditen pas Liverpoolit e Chelseat. Që të dyja nuk do të duhej të ishin këtu që janë, por janë me plot meritë.
Formacioni 3-4-3 dhe Kante kanë ndihmuar Chelsean të jetë kaq lart. Liverpooli është duke bërë lojën më të bukur në ishull. Kjo nuk është asgjë nën pritjet nga një ekip i udhëhequr nga Klopp. Me një mbrojtje më të mirë, sidomos në të majtë, Liverpool do të kompletohej për të thyer mallkimin mbi 20 vjeçar. Mungesa nga Evropa po u ndihmon jashtëzakonisht.
United po vuan për shkak të vonesave me Van Gaalin. Po të kishin Mourinhon që nga viti i ri, do të ishin të stabilizuar sikur Liverpooli. Arsenali nëse u shpëton lëndimeve ka gjasa të mira të ketë sezonin më të mirë në dekadën e fundit. Spurs kanë pësuar rënie kryesisht për transferimin e gabuar të Jansen. Të tjerat nuk janë befasi, ndoshta me Leicester pak më poshtë se që do të duhej të ishin. Megjithatë janë përqendruar në Evropë, dhe mbijetesa nuk do të duhej të ishte çështje e hapur. Por, kjo është Premier League, dhe 27 javë para fundit, nuk kemi shanse të parashikojmë se kush ku do të përfundoj. Akoma mbetem me parashikimin e njëjtë – City, Arsenal, Spurs në TOP3, Liverpool e United për të katërtin, Chelsea duke i ndjekur nga pas.
LA LIGA: S’ka ndërrime
E mbani në mend kur Las Palmas ishte nisur për të bërë një Leicester City spanjoll pas tri javëve të para në La Liga? Tashti janë 11 pikë larg kreut. Kreu rendit Realin para Barcelonës! Çfarë befasie! Në fakt kishte shpresa, dhe vërtetë do të doja të shihja një La Liga më konkurrente në krye, por kjo duket se do të mbetet vetëm iluzion edhe këtë vit.
Atletico po dështon vend e pa vend, Sevilla - Villarreal, e të tjerat akoma kanë frikë psikike në fushë nga dy të parat. Valencia ka bërë gabime në stol, dhe nuk mendoj që Prandelli mund ti afroj në Evropë. Granada më në fund do të duhej të largohej nga liga, bashkë me Osasunën dhe Leganes.
BUNDESLIGA: Yjet e Bayernit po plaken
Në Gjermani, Bayerni nuk është më i dobët se vitin e kaluar. Problemi qëndron tek menaxhimi i rotacionit nga Ancelotti, i cili do të provoj të gjej baraspeshën ndërmjet Bundesligës dhe Ligës së Kampionëve. Gjithashtu edhe lëndimet dhe mosha tek disa lojtarë kyç do e bëj të veten tek Bayern.
Leipzigu nuk ka bërë blerje të mëdha, por ka bërë blerje të mençura. Shumica janë përshtatur në sistemin e tyre dhe tani i kemi në krye. Hoffenheim e Hertha po tregojnë lojëra shumë të bukura si ekip, ngjashëm si Koln deri në një masë. Teuchel akoma nuk ka arritur të stabilizoj ekipin, dersa Leverkusen, Schalke e Monchengladbach janë poshtë formës. Bremen e Hamburger meritojnë të bien në ligën e dytë, edhe pse Darmstadt e Ingolstadt janë favoritë kryesorë për këtë. Zor që Dortmund të këndellet për të sfiduar Bayernin për titull, derisa për Leipzigun katërshja e parë është synim realistik.
SERIE A: Juventus, kampion i vetmuar
Edhe në Apenine titulli nuk do të duhet të jetë në dyshim. Është i Juventusit për tu humbur. Gjithashtu e vetmja gjë për tu fituar nga ta. Me interesim pres të shoh se çfarë do të ndodh me Allegrin pasi të mos fitojnë përsëri në Evropë. Roma nuk është e gatshme për të sfiduar, përkundër formës më të mirë të Dzekos dhe akoma të shëndoshurit Strootman. Vazhdueshmëria do të dëmtoj si gjithë romakët.
Lazio e Milan janë duke dhënë më shumë se çfarë janë në gjendje për të bërë. Kuqezinjtë me ardhjen e kinezëve, dhe me investime të mençura mund të mbeten në treshen e epërme. Atalanta e Torino po bëjnë një shtytje të këndshme, të dyja të inspiruar nga trajnerët që kanë. Interi është mësim për ata që dëshirojnë të ndërrojnë trajnerin dy ditë para se të nis kampionati. Treshja që bien nga liga nuk do të duhej të ndryshonte nga aktualja. Befasi negative është Sassuolo të cilët Evropa i ka goditur rëndë! Napoli është kthyer në tokë!
LIGUE 1: Parisi i dobët
Vetëm sivjet mund të vërejmë se sa i dobët është Unai Emery në menaxhimin e ekipit të tij në ligë. Ndoshta Sevilla do të mund të kishte qenë së paku në tri pozitat e para në La Ligë. Të mbetesh i treti në këtë ligë franceze për PSG është ndoshta turpërim. Por, jo nëse preferon Mottan para Verratit, e me vetëm një sulmues klasik.
Nuk është krejt faji tek Emery ndoshta, ama megjithatë, PSG do të duhej të korrte gjithçka në këtë ligë. Nice po del befasi, dhe më shumë merita ka Lucien Favre se sa Balotelli. Në fakt krejt edhe më shumë merita do të duhej ti takonin Favres veç pse ka Balotellin. Lyoni ka humbur magjinë e prodhimit të talenteve të para disa viteve, Monaco nuk e ka seriozisht, derisa Marseille vështirë të këndellet edhe këtë sezon përkundër pronarëve të rinj.
TJERAT: IBB e Celtic, befasia e garancia
Nëpër Evropë, në Turqi po befason Istanbul Basaksehir të cilët po shfaqin një lojë ekipore që po i shtyn para. Vetëm Besiktas do të mund t’i konkurroj, me Fenerbahcen larg pasi ka bërë një ‘Inter’ të këtij sezoni. Në Holandë, Feyernoordi ka nisur të marr teposhtën, derisa talentet kosovarë po impresionojnë çdo fundjavë. Në Portugali, Sportingu nuk po mundet të mbahet në të dy kahet, prandaj ka mbetur mbrapa Benficas. Në Belgjikë asgjë nuk dihet deri në fund, në Skoci Celticu është nivel tjetër me të tjerat derisa për Rangers është herët. E në Shqipëri, vazhdon korrupsioni dhe ndyrësirat në fushë e tribuna.