NGA KONFERENCA
Rashica: Të fitojmë për Vedatin, Arbërin, Hekuranin…
12 November, 2019 @21:10
Njëri ndër lojtarët e Kosovës, prej të cilit po pritet më së shumti në ndeshjen e radhës, Milot Rashica, në konferencën e sotme për shtyp të reprezentacionit ka bërë të ditur se kjo është një finale për ekipin.
“Të gjithë e dimë që kjo është ndeshja më e rëndësishme. Çdo ndeshje deri tani e ka pasur rëndësinë e vet, po kjo është si finale për ne. Po mendojmë vetëm për Çekinë, të shkojmë atje e të marrim rezultat pozitiv. Nuk kemi çfarë të humbim, do të japim maksimumin dhe shpresoj se do ta fitojmë ndeshjen. Mungesa e Muriqit? Do të jetë një mungesë shumë e madhe për ne, duke ditur formën që ka pasur deri tani si me klubin si me kombëtaren. Por nuk kemi çfarë të bëjmë, futbolli i ka këto gjëra,” ka thënë fillimisht ai.
Ndërsa, sa i përket lëndimit të Vedat Muriqit së fundi, ai ka thënë se kjo është mungesë e madhe, por ekipi do t’ia dalë.
“Edhe në ndeshje të tjera na kanë munguar shumë lojtarë, por ka pasur rezultate pozitive. Shpresojmë se edhe këtë ndeshje do ta fitojmë për shtetin tonë, për tifozët tanë dhe për të gjithë tjerët të lënduar, për Vedatin, Arbërin, Hekuranin. Në shumicën e ndeshjeve luaj si sulmues te ëerderi dhe nuk e di me çfarë formacioni do të luajmë, por kemi edhe pak kohë për të vendosur e të shohim si do të vendosë trajneri. Për mua nuk ka problem të luaj edhe si sulmues, por kemi lojtarë të tjerë që luajnë në pozita të ndryshme. Ajo që na ka sjellë deri këtu është grupi, kemi luajtur për njëri-tjetrin, pra kemi pika të forta në shumë vende”, ka thënë Rashica.
Kosovës i duhet fitorja në përballje ndaj Çekisë. Në rast të fitores, dardanët do të shpresojnë për pikë në përballje ndaj Anglisë që të sigurojnë EURO2020-shin, të parin në histori.