KOSOVA
Kosova e pafat, Muriqi mungon në dy ndeshjet vendimtare
12 November, 2019 @14:45
Lajm aspak i mirë për Kosovën para dy ndeshjeve tejet të rëndësishme ndaj Çekisë e Anglisë.
Lojtari më në formë i Kosovës, Vedat Muriqi, për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e fundit të Fenerbahçes, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet që Kosova i zhvillon këtë muaj. Ky lajm u bë i ditur nga faqja zyrtare e FFK-së pak minuta më parë.
FFK-ja në njoftimin e saj ka bërë të ditur se ka kontaktuar edhe mjekë zviceranë për të parë gjendjen e Muriqit, prej të cilëve gjithashtu kishte marrë përgjigje - që lojtari s’është në gjendje për lojë.
Tash, për shkak të kësaj mungese të madhe për vendin para ndeshjeve vendimtare, Bernard Challandes do të shikojë opcionet tjera për sulmin e Kosovës.
Për formacion identik, ai do të mund të përdor Atdhe Nuhiun, ndërsa për të përshpejtuar sulmin, aty lehtë do të mund të luante edhe Milot Rashica, pasi që për krahë të mesfushës opcione tjera ka plotë.
Rashica ka treguar me Werderin që mund të luajë në sulm i vetëm, por edhe me ndonjë partner nga mesfusha ose sulmi.
Ndeshjen ndaj Çekisë Kosova e luan në Plzen më 14 nëntor, kurse më pas në “Fadil Vokrri” luan ndaj Anglisë më 17 nëntor.