ARSENAL
Arteta ndryshon kursin për të ardhmen e Xhakës
26 December, 2019 @11:47
Futbollisti shqiptar i Zvicrës dhe Arsenalit, Granit Xhaka, që muaj më parë u bë më i përfoluri në botë për shkak të sjelljes së tij ndaj tifozëve të Arsenalit dhe u dënua me marrjen e shiritit të kapitenit - mund të ketë një janar krejt tjetër prej asaj që parashihej.
Derisa për Xhakën përfolej se do të largohet që në janar në drejtim të Bundesligës dhe ekipi i Herthës së Berlinit dukej më i interesuar, tashmë me trajnerin e ri të Arsenalit, Mikael Arteta, gjithçka mund të ndryshojë.
“Kur shkoja prej Arsenalit në City për tu bërë trajner, po shikonim një lojtar për atë pozitë dhe Granit Xhaka ka qenë në listën time. Kaq e doja atë. Kam qenë i lumtur kur e mori Arsenali. Ai ka bërë punë shumë të mirë aty, por tash është një pozitë të vështirë,” ka thënë Arteta, trajner i ri i Arsenalit, që pritet të debutojë sot si trajner në ekipin ku ka bërë karrierë si lojtar.
“I kam treguar se sa e pëlqejë si lojtar dhe çka pres nga ai. I kam treguar se sa i rëndësishëm është për ekipin. Jam këtu për t’i ndihmuar. Dua që ai të ndjejë se ne jemi pas tij. Jo vetëm unë, por krejt ekipi,” citohet spanjolli nga Goal.com.
Me këto fjalë të tij, për Granit Xhakën tash mund të jetë ndryshohet kursi i së ardhmes së tij te topçinjtë. Prej një lojtari që dëshirohej të largohej nga klubi sa më i shpejtë si i padëshiruar, në më të dëshiruarin e trajnerit të ri.