MANCHESTER CITY - MANCHESTER UNITED
United fiton, ndal rrugëtimin e Cityt
7 December, 2019 @22:03
Tashmë duket se Liverpool do të ketë vetëm Leicesterin ndjekës në rrugëtim për titull kampioni.
Manchester City në momentin kur më së shumti duhej të fitonte, është mposhtur nga Manchester United, derisa edhe Sir Alex Ferguson legjendar në tribuna është parë të jetë i kënaqur me performancën e ekipit të drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer, që ka qenë tepër mirë i organizuar sonte.
United ka marrë epërsinë 0-2 që në pjesë të parë të ndeshjes dhe nuk i ka lënë shumë mundësi për të shënuar Cityt vendas, që kishte rastet e veta, por vërehej mungesa e mprehtësisë pa Sergio Agueron e lënduar.
Kjo ka qenë njëra ndër fitoret më impresive të epokës së Solskajerit me Unitedin, që prej asaj ndaj PSG-së në Ligë të Kampionëve në sezonin e shkuar.
City pati dy ankesa në VAR, duke kërkuar penallti, por ato s’erdhën. VAR i dha edhe penalltinë Unitedit, që u vlerësua i drejtë nga analistët pas ndeshjes.
Deri në fund, e vetmja gjë konkrete e Cityt ka qenë ulja e epërsisë dhe fundi dramatik, kur Nicolas Otamendi shënoi për përfundimtaren 1-2 [Otamendi 85 - Rashford 23, Martial 29].
Humbja e katërt e stinorit për Pep Guardiolën me kampionin aktual, e bën këtë startin më të keq të spanjollit në karrierën e tij si trajner.
Manchester United në anën tjetër, kërcen mbi Tottenhamin në tabelë, me një pikë më shumë. Lojtari i ndeshjes, super Marcus Rashford, që është në formë të jashtëzakonshme.
TABELA AKTUALE E PREMIER LEAGUE