PËRMBLEDHJE
KOSOVA NË 2024!
Shkruan: G.P
30 December, 2024 @13:30
Koha për përmbledhjen vjetore të ngjarjeve më të rëndësishme në sportin kosovar përgjatë vitit 2024.
Padyshim, vëmendjen edhe këtë vit e merr xhudo, që këtë vit na solli dy medalje olimpike nga Parisi.
Viti 2024 për t’u mbajtur mend ishte edhe për 2 Korrikun U19, për skuadrat kosovare të hendbollit në garat evropiane, për tenistet e reja kosovare falë sukseseve në turnetë e ndryshëm ndërkombëtarë, ndërsa nëse flasim për futbollistët kosovarë që luajnë në Evropë, ky ishte viti i Edon Zhegrovës.
1. Xhudistet e Kosovës, dy medalje olimpike në Paris
Si zakonisht, edhe gjatë vitit 2024 sporti kosovar sukseset më të mëdha i arriti në sportin e xhudos. Driton Kuka me super-ekipin e tij vazhduan punën e palodhshme dhe nga Lojërat Olimpike të Parisit u kthyen me dy medalje.
Nga pesë xhudistët e Kosovës që garuan në këto Lojëra Olimpike, dy prej tyre u kthyen me medalje. Distria Krasniqi mori medalje të argjendtë, e Laura Fazliu mori medalje të bronztë në debutimin e saj olimpik.
Kështu, numri total i medaljeve të Kosovës në Lojëra Olimpike shkon në 5. Të gjitha janë fituar në sportin e xhudos.
2. KB Trepça e KBF Bashkimi dominojnë në basketbollin vendor
KB Trepça ishte skuadra dominuese e basketbollit vendor te meshkujt. Skuadra në fjalë përgjatë vitit 2024 fitoi Ligën, Superkupën e Kosovës dhe Kupën e Kosovës, duke kompletuar një vit fantastik.
Në ligë, mitrovicasit në serinë finale fituan 3-2 ndaj Yllit të Suharekës, për ta fituar kështu titullin kampion pas 12 viteve!
Ngjashëm, dominim kishte edhe skuadra e Bashkimit te vajzat. Kjo skuadër në prill të vitit 2024 kompletoi tripletën e basketbollit për të dytin vit me radhë, duke shkruar histori në basketbollin kosovar.
3. Ballkani kampion, Drita arrin Play Off-in e Conference League, KFF Mitrovica dominon te vajzat
Për të tretin vit me radhë, Ballkani u shpall kampion i Kosovës në futboll te meshkujt. Të udhëhequr nga Ilir Daja (tashmë i larguar), suharekasit u shpallën kampionë në ligë, si dhe fitues të Kupës. Për dallim prej dy viteve të mëparshme, ku kjo skuadër arriti fazën grupore të UEFA Conference League, kjo arritje përgjatë vitit 2024 nuk u përsërit.
Skuadra kosovare që më së shumti iu afrua garave evropiane gjatë vitit 2024 ishte Drita, e cila për herë të parë shkoi deri në Play Off të UEFA Conference League, që është një hap larg fazës grupore të kësaj gare. Në Play Off, Drita u eliminua nga Legia e Varshavës.
Te futbolli i vajzave, KFF Mitrovica vazhdoi dominimin. Kjo skuadër fitoi kampionatin dhe Kupën e Kosovës, duke e mbyllur sezonin me kurorë të dyfishtë.
4. 2 Korriku U19, aventurë e suksesshme në UEFA Youth League
Viti 2024 ishte vit fantastik për skuadrën e 2 Korrikut U19.
Skuadra kosovare, që tash e sa kohë njihet për punën e saj të vazhdueshme në zhvillimin e lojtarëve të rinj, këtë vit mori pjesë në UEFA Youth League, ku shkoi deri në rrethin e tretë të garës.
2 Korriku U19 eliminoi Bylisin e Shqipërisë në rrethin e parë, më pas eliminoi skuadrën UC Dublin nga Irlanda, e në rrrethin e tretë u eliminua nga skuadra e Dinamos së Kievit, një skuadër gjigande dhe me shumë përvojë në Evropë.
5. Learta Muharremi e Arlind Rushiti, suksese historike në sportin e tenisit
Sa i përket tenisit të Kosovës, krahas përmirësimit të infrastrukturës në vend, gjatë këtij vit sukseset për t’u veçuar janë ato të Learta Muharremit dhe Arlinda Rushitit.
Learta, kategoria U14, u bë tenistja e parë kosovare që fitoi një turne ndërkombëtar në këtë kategori, ndërsa Arlinda Rushiti, tashmë emër i mirënjohur i tenisit vendor, u bë tenistja e parë kosovare që fitoi një turne ndërkombëtar ITF - W15K.
Gjithashtu, gjatë vitit 2024 vajzat e Kosovës e përfaqësuan shtetin Kampionatin Botëror “BJK Cup”. Me dy fitore dhe një humbje, vajzat e Kosovës arritën që ta ruanin vendin në Grupin II të zonës Evropë/Afrikë për kampionatin e radhës.
6. Referët nga Kosova, drejtues të ndeshjeve në grupet e Conference League
Gjatë vitit 2024 është shtuar numri i delegimeve për referët e Kosovës në garat që organizohen nga UEFA.
Pa harruar edhe ndeshet që referuan në ndeshjet për grupmosha më të reja apo ndeshjet e fazës kualifikuese, dy ndeshjet për t’u përmendur që referët kryesorë u deleguan përgjatë vitit 2024 janë ato në kuadër të fazës grupore në UEFA Conference League.
Genc Nuza si refer kryesor me ndihmësit Edmond Zeqiri e Granit Hyseni në fushë, Ilir Mehmeti si gjyqtar i katërt dhe Dardan Çaka (VAR) e drejtuan ndeshjen Djurgarden vs. Vitoria në Stokholm të Suedisë, e ndeshjen Basaksehir vs. Petrocub në Stamboll e drejtoi si kryesor gjithashtu Genc Nuza, e si ndihmës kishte referët Fatlum Berisha e Bujar Selimaj në fushë, Eridon Podvorica ishte gjyqtar i katërt, kurse në VAR ishin Dardan Çaka e Visar Kastrati.
7. Kosova U18, kampione e Evropianit U18, Divizioni B & KH Rahoveci e KHF Istogu me sukses garat evropiane
Në gusht të vitit 2024, Kosova U18 u shpall kampione e Evropianit U18, Divizioni B. Turneu u mbajt në Prishtinë, e në finale djemtë e Kosovës fituan me rezultat 30-22 ndaj Gjeorgjisë.
Skuadrat më të mira të hendbollit vendor, KH Rahoveci e KHF Istogu, gjatë vitit 2024 treguan paraqitje tejet të mira në garat evropiane.
Djemtë e Rahovecit, që në maj të këtij viti e fituan titullin e parë kampion të Kosovës në histori të klubit, e kaluan skuadrën belge Sezoens Achilles Bocholt në rrethin e dytë të EHF European Cup, e pastaj u eliminuan, ndonëse e fituan ndeshjen kthyese në Rumani, nga skuadra e mirënjohur Minaur Baia Mare. Kjo skuadër ishte gjysmëfinaliste në edicionin e kaluar të EHF European Cup.
Në anën tjetër, vajzat e Istogut u eliminuan nga skuadra çeke e Hazena Kynzhvart në rrethin e tretë të EHF European Cup. Në rrethin paraprak, istogaset e eliminuan skuadrën greke Pylaia nga Selaniku, duke shkruar kështu histori në hendbollin kosovar. Kjo ndodhi në pjesëmarrjen e tetë me radhë të kësaj skuadreje në garat evropiane.
Pjesëmarrje në EHF European Cup nga Kosova te meshkujt në këtë edicion patën edhe Besa e Pejës dhe Kastrioti i Ferizajit, por këto dy skuadra u eliminuan në përballjet e tyre të para. Kastrioti u eliminua nga Sloboda boshnjake, e Besa u eliminua nga çekët e Mesto Lovosice.
Ndërkohë te vajzat, në duelet e tyre të para u eliminuan KHF Ferizaj dhe KHF Samadrexha. Ferizajaset u eliminuan nga spanjollet e Valladolidit, e Samadrexhën e eliminoi skuadra portugeze Colegio de Gaia.
8. Donjeta Sadiku, një fitore historike në Lojërat Olimpike të Parisit
Në kategorinë deri në 60 kilogramë, Donjeta Sadiku u bë boksierja e parë nga Kosova që fitoi një përballje në Lojëra Olimpike. Për boksieren prishtinase kjo ishte pjesëmarrja e dytë në Lojëra Olimpike. Në Tokio 2020, ajo ishte mposhtur në duelin e saj të parë, e kësaj radhe ajo shkroi historinë, duke e fituar të paktën një duel.
Donjeta, me trajneren e saj Marjola Sallauka, e fitoi duelin e parë të saj në Lojërat Olimpike të Parisit, duke e mposhtur boksieren Thanaya Somnuek të Tajlandës, për të kaluar kështu në 1/8 e finales.
Në përballjen e saj të dytë, boksierja kosovare u mposht nga kolumbianja Paola Angie Valdes Pana dhe kështu u eliminua nga gara.
Deri tash, Donjeta është garuesja e parë dhe e vetme deri tani, te vajzat e djemtë, që e ka përfaqësuar Kosovën në sportin e boksit në Lojëra Olimpike.
9. Përfaqësuesja e futbollit mbyllë vitin me rekord-renditje në FIFA
Më 17 shkurt 2024, në përvjetorin e pavarësisë, Kosova zyrtarisht emëroi përzgjedhës austriakun Franco Foda, fillimi i të cilit në detyrën e re është premtues.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll gjatë vitit 2024 zhvilloi gjithsej 9 ndeshje, prej të cilave 6 ishin zyrtare. Të gjitha ato ndeshje zyrtare u luajtën në kuadër të Ligës së Kombeve, ku Kosova përfundoi e dyta në Grupin C2, pas Rumanisë lidere të grupit. Kjo pozitë i mundëson Kosovës që të luajë në Play Off të Ligës së Kombeve në mars të vitit 2025, ku një triumf potencial do ta dërgonte në Ligën B të Kombeve për sezonin e ardhshëm.
Në renditjen përfundimtare të FIFA-së për vitin 2024, Kosova e pa veten në pozitën e 99 në Botë, që është një arritje rekord për shtetin tonë.
10. Shkëlqimi i Edon Zhegrovës në Ligue 1 dhe Champions League
Viti 2024 do të jetë i paharruar për Edon Zhegrovën në aspektin individual.
Majtaku prishtinas kaloi te Lille në Ligue 1 nga Baseli i Zvicrës në janar të vitit 2022, por shpërthimi i tij ndodhi përgjatë vitit 2024.
Përveç paraqitjeve dhe statistikave impresive në ligë, Zhegrova shkëlqeu edhe gjatë ndeshjeve të Lillet në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ku për t’u veçuar është paraqitja e tij fantastike ndaj Real Madridit. Ndaj kampionit të Evropës, Edon Zhegrova ishte më i miri në fushë dhe me meritë e mori çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Atë takim Lille e fitoi 1-0 dhe goli erdhi nga penalltia e fituar pikërisht nga Edon Zhegrova.
Vlera momentale e Zhegrovës në Transfermarkt është 25 milionë euro.