CLUB COEFFICIENT RANKING
Renditja e UEFA-së, ku gjinden ekipet e Kosovës?
26 December, 2018 @15:08
Në listën e UEFA-së janë 450 klube nga mbarë Evropa, që kanë marrë pjesë në garat evropiane në 5 vitet e fundit.
I pari në listë është kampioni botëror për klube, kampioni i Ligës së Kampionëve, Real Madrid me 144 pikë. Pas madrilenëve në renditje vjen Bayern Munchen me 127 pikë, sa ka edhe Barcelona në vend të tretë.
I katërti është Atletico de Madrid me 125, Juventus është i pesti me 120 pikë, ndërsa PSG i gjashti me 101 pikë. TOP 10 skuadrat evropiane i mbyllin: Manchester City me 99 pikë, Sevilla me 99, Porto 90 dhe Arsenal me 86 sosh.
E ku gjenden ekipet kosovare në këtë renditje?
Më e mira e renditur nga Kosova është kampionia aktuale dhe pjesëmarrësja në kualifikime për Ligë të Kampionëve, Drita, që ka 1.5 pikë dhe renditet e 372-ta në Evropë.
Pas Dritës vjen Prishtina, që është ekipi i vetëm kosovar që nuk ka munguar ende në gara evropiane. Bardhekaltërit nga kryeqyteti janë në pozitën e 402-të të renditjes së UEFA-së me 1.25 pikë.
Ndërsa ekipi i tjetër kosovar që bën pjesë në këtë renditje është Trepça’89, që me pjesëmarrjen e saj të parë në kualifikime të Ligës së Kampionëve ka mbledhur 0.5 pikë dhe zë pozitën e 447-të, e treta prej fundit të renditjes.
Ekipet tjera shqiptare
Nga Shqipëria, Skënderbeu që është në rënie, është ende më së miri i rendituri në UEFA, duke kapur pozitën e 157-të. Kukësi është në pozitën 213, Partizani 322, Laçi 338, Luftëtari 373, Tirana 376, Teuta 378, Flamurtari 379.
E nga ekipet shqiptare të Maqedonisë, Shkëndija zë pozitën e 177-të, ndërsa Shkupi atë të 361-të, para Renovës që është në pozitën 364.